Kritikë & EstetikëJohn BergerEPISODI 3 - MËNYRAT E TË PARIT NGA JOHN...

EPISODI 3 – MËNYRAT E TË PARIT NGA JOHN BERGER

-

Ne shikojmë.

Ne blejmë.

Është e jona.

E jona për t’u konsumuar, për ta
rishitur sërish, ndoshta për ta falur.

Më shpesh, e jona për ta mbajtur.

Ne shikojmë, ne blejmë.

Dhe ne koleksionojmë objekte të çmuara.

Por, objektet më të çmuara të të gjitha
kohërave janë pikturat në vaj. Pikturat në vaj shpesh paraqesin gjëra, gjëra të
cilat, në realitet, mund të blihen. Ta pikturosh një gjë dhe ta vendosësh ata në
një kananacë nuk është e ngjashme me blerjen e saj dhe mbajtjen e saj në shtëpinë
tuaj. Objektet brenda pikturave shpesh duken po aq të prekshme sa edhe ato
jashtë saj. Nëse blini një pikturë, gjithashtu ju blini edhe pamjen që piktura
përfaqëson. Pikturat shpesh paraqesin thesare. Por, vet pikturat janë kthyer në
thesare. Galeritë e artit janë si pallate, por ato shërbejnë gjithashtu edhe si
banka. Kur ato mbyllen gjatë natës, ato janë mjedise të mirëruajtura. Në mënyrë
që, objektet e dëshiruara të mos vidhen. Vlera e pikturave ëjanë misterioze. Si
e marrin ato këtë vlerë, pyesim ne veten?  

 

Ata që shkruajnë, flasin ose japin mësim
për artin, shpesh e ngrenë artin përmbi jetën, duke e kthyer atë në një lloj
feje. Në programin e parë, unë u përpoqa t’ju tregoj se si dhe përse metodat moderne
të riprodhimit dhe të komunikimit, si p.sh., fotografia me ngjyrë dhe
televizioni, teorikisht e kanë ndyshuar kuptimin e artit pamor të së shkuarës,
duke e çmitizuar dhe duke e bërë atë më laike. Por, pjesën më të madhe të kohës
ata që i përdorin këto metoda të reja riprodhimi dhe komunikimi, ata që
shkruajnë libra, ose që realizojnë emosione televizive rreth artit, përpiqen të
kapen pas përqasjes së vjetër që arti mbetet diçka e shenjtë. Kështu,
automatikisht, dashuria për artin ofrohet si një përjetim njerëzor madhështor.

 

Megjithatë, ndoshta duhet të marrim në
konsideratë këtë regjistrim me përmasa historike – dy filma dhe dy koncerte të
dhëna në Britani dhe në Gjermani gjatë vitit të shkuar, të dy filmat janë realizuar
si propagandë lufte me qëllim integrimin e ndjenjës së krenarisë kulturore në trashëgiminë
kulturore kombëtare. E para, shfaq një koncert në Londër dhënë nga Myra Hess
(1890-1965, pianiste birtanike). E dyta, shfaq një koncert në Berlin nga Furtwangler
(1886-1954, dirigjent dhe kompozitor gjerman). Nëse përjetimi i artit është
sublim, atëherë duket sikur ai është i tillë pavarësisht shumë vlerave të tjera
që ka vet arti. Kështu, ndoshta duhet të jemi deri diku të kujdesshëm nga dashuria
për artin.

 

Në histori nuk mund të shpjegohet asgjë,
madje as në vet historinë e artit, thjesht nëpërmjet dashurisë për artin. Le të
shikojmë një pikturë, subjekti i së cilës është një artdashës. Kjo pikturë, që
tregon një patron arti të shekullit të 17-të, rrethuar nga koleksion i tij, na
tregon më shumë rreth Evropës dhe pikturës që nga Rilindja sesa qindra libra
arti apo ese mbi estetikën. Çfarë na tregon kjo pikturë? Llojin e njeriut për të
cilën piktorët i kanë pikturuar pikturat e tyre. Çfarë janë këto piktura? Përpara
se ato të jenë ndonjë gjë, ato janë objekte të cilat mund të blihen dhe të zotërohen.
Ato janë objekte unike. Një patron, nuk mund të rrethohet nga muzika apo poezia
në të njëjtën mënyrë siç rrethohet nga pikturat e tij. A krijon një lloj
krenarie të veçantë ky lloj zotërimi mbi pikturat? Duket sikur ai jeton në një
shtëpi të ndërtuar mbi piktura. Cili është avantazhi i tyre krahasuar me muret
prej guri ose druri? Ato i paraqesin atij pamje. Ai ka shumë subjekte të
ndryshme. Por, ajo që të gjitha pikturat kanë të përbashkët me njëra-tjetrën është
se ato janë të gjitha të pikturuara në vaj.

 

Rreth viteve 1500-të dhe 1900-të, artet
pamore të Evropës dominoheshin nga pikturat në vaj, të realizuara në këmbalecin
e piktorit. Kjo lloj pikture, nuk ishte përdorur kurrë më parë në të gjithë botën.
Tradita e pikturës në vaj përbëhet nga qindëra mijëra vepra të hatashme të
cilat qëndrojnë të varura nëpër muret e galerive dhe të pronave private, pak a
shumë në të njëjtën mënyrë si Koleksioni Rezervë qëndron ende i varur në
Galerinë Kombëtare të Londrës. Nëse, siç jemi mësuar normalisht që të bëjmë, ne
do të theksonim gjenialitetin e disa prej tyre dhe të përqëndroheshim vetëm mbi
veprat e jashtëzakonshme, neatëherë ne do të keqkuptonim gjithë çfarë ka qenë
tradita në atë kohë. Piktura evropane në vaj, ndryshe nga arti i civilizimeve
dhe periudhave të tjera, i vendosi një theks unik qartësisë, fortësisë, teksturës,
peshës, aftësisë për të bërë të kuptueshme atë që paraqitet në pikturë.  

 

Ajo që ishte e vërtetë, ishte ajo që
mund të prekej me dorë. Ideja që diçka është e vërtetë vetëm kur mund të jesh në
gjendje ta prekësh atë, mund të lidhet me idenë e copëzimit të diçkaje për të
parë se si funsionon ajo. Në fillesat e traditës së pikturës në vaj, theksi se,
piktura e vërtetë duhet të ishte solide, e fortë, ishte pjesë e një qëndrimi
shkencor. Por, theksi që kopja reale të ishte e fortë, pra të ishte diçka që
mund të prekej me dorë, u kthye barazisht e rëndësishme dhe ngushtësisht të
lidhur me ndjesinë e pronësisë.  

 

Këto instrumente shkencore janë përdorur
për lundrim. Ato u pikturuan në një kohë kur rrugët e tregëtisë së botës për në
Evropë po hapeshin nga udhëtimet homerike për të cilat kemi mësuar në shkollë,
duke e sjellë kështu civilizimin evropian tek pjesa tjetër e botës. Vihet re
një lloj tendence për të harruar se këto udhëtime shënjojnë fillimin e tregëtisë
evropiane të skllevërve, trafikimi i të cilëve mundësuan vërshimin e pjesës më
të pasur të botës në Evropë. Kristofor Kolombi një herë shkruante nga Xhamaika,
‘Floriri është diçka e mrekullueshme. Me anët të floririt njeriu mund të blejë
edhe shpirtra në parajsë.’

 

Në vitin 1519, Magelani udhëtoi rreth
botës. Ai dhe një mik i tij astronom, me të cilin ai kishte planifikuar udhëtimin,
do të mbanin 20% të përfitimeve të realizuara dhe të drejtën për të drejtuar
qeverinë e çdo toke që ata do të zbulonin dhe pushtonin. Ky glob i botës,
tregon udhëtimin e Magelanit rreth tij. KrahNë krahë të tij paraqitet një libër
aritmetike, një libër himnesh dhe një lahutë. Për të pushtuar një tokë, ishte
gjithmonë e domosdoshme që më parë ta konvertoje atë në krishtërim.  

 

Kjo pikturë, është pikturuar në vitin
1533-të nga Holbein. Ajo paraqet dy tregtarë francezë në Londër. Piktura ka të
bëjë me shkencën, lundrimin, diplomacinë dhe pushtetin. Por, në mënyrën se si është
pikturuar ajo, gjithashtu në mënyrën se si është parë ajo, për çfarë është ajo
më shumë? Nuk ka asnjë sipërfaqe në pikturë e cila nuk nënkupton pasuri. Nuk ka
asnjë sipërfaqe e cila nuk është punuar në detaje dhe me mjeshtëri. Me përjashtim
të fytyrave dhe duarve të tyre, çdo centimetër e kanavacës është rikaluar qindëra
herë nga endësit, qëndistarët, punuesit e tapeteve, mjeshtërit e mozaikëve, lëkurëpunuesit,
gëzofëtarët, punuesit e bizhuve, dhe së fundmi nga vetë piktori, Holbein. Aty
janë dy burra, të cilët besojnë se bota ekziston në mënyrë që të furnizojë qëndrimin
e tyre në këtë botë. Instrumentet detare j,anë vendosur në pjesën lindore të
tapetit. Pa të parën, as e dyta nuk do të ishte aty.

 

Për ndërtimin e civilizimit dhe të
kulturës evropiane, ishte implicite shkatërrimi i kulturave të tjera, por
evropianët e kanë parë këtë gjë sipas mënyrës së tyre. Ata besonin se
civilizimi i tyre, ishte në të gjitha aspektet më i përparuar sesa civilizimet
e tjera. Një afrikan gjynjëzohet në mënyrë që t’i tregojë të zotit të saj një
pikturë në vaj. Piktura që po mban ai, paraqet kështjellën e një prej qëndrave
kryesore të tregëtisë së skllevërve nga Afrika perëndimore.

 

Shumë vepra të tjera arti në kultura dhe
periudha të tjera i kanë thurur lavdi pasurisë dhe pushtetit. Zotër, princesha
dhe dinasti adhuroheshin. Por, këto vepra ishin statike, të lidhura me
ritualet, hierarkike dhe simbolike. Ato lartësonin një rend shoqëror ose
hyjnor.

 

Piktura evropiane në vaj i ka shërbyer
një tjetër lloj pasurie. Ajo nuk lartësonte një rend statik të gjërave, por aftësinë
për të blerë, furnizuar dhe për të zotëruar.

 

Përpara shpikjes së pikturës në vaj,
piktorët evropianë të mesjetës shpesh përdornin gjethe ari në pikturat e tyre. Më
vonë, ari u zhduk nga pikturat e tyre, dhe shpesh, përdorej vetëm në kornizat e
pikturave. Por, ndonjëherë vet pikturat shërbenin për të treguar se çfarë mund
të blinte ari dhe paratë.

 

Një lloj i caktuar pikture lartësonte mallrat
në një mënyrë të tillë siç nuk ishte bërë kurrë më parë në historinë e artit. Komercializimi
u kthye në subjektin parësor të këtyre veprave. Ngrënia është një kënaqësi, por
këto piktura nuk mund të hahen. Ato shërbejnë për të treguar diçka tjetër. Së
pari, virtuozitetin e artistit. Së dyti, pasurinë e pronarit.

 

Gjënë e
gjallë.
Jo, kafshë në gjendjen e tyre natyrore, por kafshë origjina e të cilave
theksohet si një provë për vlerën e tyre, prejardhja e të cilave thekeson
prejardhjen e prejardhjes shoqërore të pronarit të tyre. Ato pikturohen sikur të
jenë mobilje – sikur të ishte një tavolinë, ose një karrige me katër këmbë.   

 

Objekte. Objekte
të cilat, më pas u bënë të njohura si ‘objects
d’art.’
 

 

Shtëpi. Ndërtesa
të cilat nuk konsideroheshin si vepra ideale të arkitekturës, si në veprat e
artistëve të mëparshëm të Rilindjes, por ndërtesa të konsideruara si prona në
zotërim.  

 

Portretet,
ishin gjithashtu po aq të rëndësishme. Portrete të pronarëve të pikturave
dhe të tjera përveç këtyre. Këto piktura, nuk lartësonin drejtëpërdrejtë atë që
mund të blihej. Ato ishin një regjistrim i besimit të atyre se pronësia e tyre
u kishte sjellë atyre vetbesim. Ata që mund të blinin gosti, kuaj, dema, shtëpi,
varën mbi muret e tyre portrete gjeneratash të pikturuara për të lavdëruar dhe
lartësuar vazhdimsinë e pushtetit dhe të pasurisë së tyre. Ka pasur me qindëra
mijëra portrete të tilla, por ata që paraqiteshin në këto piktura përfaqësonin
një fraksion jashtëzakonisht të vogël të popullsisë. Të varfërit, nuk kishin as
kronika dhe as portrete. Jetët e tyre janë të paregjistruara. Por, sërish,
stili sipas të cilit pitkurohej një portret mesatar, na tregon diçka rreth
bazave besimi dhe dinjiteti i të cilëve nga komunikohet nëpërmjet portretit të
asaj apo atij që është ulur për të pozuar si model për pikturën.

 

Çdo portret është një regjisrim që thotë,
‘Unë kam ekzistuar dikur dhe pamja ime
ishte kjo.’
Për më tepër, këto portrete thonë, ‘Unë kam qenë objekt respekti dhe zilie’. ‘Nuk duhej veç të ngrija dorën, që të kisha vëmendjen që doja’.

 

Veshjet e gjithësecilit
në këto portrete, janë tregues i statusit shoqëror, por veshjet, pendët dhe
bizhuteritë e këtyre grave, janë një ‘deklaratë’ e ekzagjeruar. Ajo që të
verbon, janë veshjet dhe jo fytyrat e tyre. Në këto piktura, gratë duket sikur
janë duke notuar në dete mëndafshi dhe sateni. Piktura në vaj, mund t’i
pikturonte këto materiale siç nuk ishin bërë kurrë më parë.

 

Ka pasur gjithashtu edhe piktura,
subjektet e të cilave jannë marrë nga letërsia klasike, gjë që sot duket diçka
e largët, e parëndësishme, si në ëndërra, por nuk ka qenë kështu në momentin
kur ato janë blerë.

 

Mitologjia klasike, ka qenë pjesë e
njohurive të specializuara të një minoriteti të privilegjuarish dhe këto
piktura i kanë ndihmuar ata për të përfytyruar vetëveten. Ndërkohë që, ato
paraqisnin virtyte klasike, duke berë xheste klasike. Këto piktura, ishin skena
maskaradash ku aktorët mund të ishin ata vetë. Objektet e imagjinatës ishin të
ofruara në pikturë, ndërsa shpirti i interpretimit ishte në dorën e imagjinatës
së pronarit të saj. Figurat paraqiten si veshje gati për tu arritur nga spektatorët
e pronarit të tyre, për të futur krahët dhe për t’iuveshur.

 

Kë mendoni se përfaqëson kjo pikturë? Piktorë
të ndyshëm e shikojnë atë ndryshe. Por a kanë ndonjë gjë të përbashkët këto
piktura? Dhe nëse është kështu, cili është mesazhi i tyre?

 

Këto piktura vijnë të gjitha nga Galeria
Kombëtare Londër dhe i përkasin të gjitha Maria Magdalenës. Në hisotorinë
origjinale, theksi vendoset mbi faktin se një prostitutë e do Krishin kaq shumë
saqë ajo pendrohet për të shkuarën e saj dhe e kupton se mishi është i vdekshëm,
ndërsa shpirti është i pavdekshëm. Në secilin rast, mënyra se si është
pikturuar piktura kundërshton thelbin e historisë. Hipokrizia është seksuale. Titulli
thotë dashuri e shenjtë. Piktura, me këtë alibi titulli flet për dashuri
profane/përdhosëse. Në një mënyrë alternative, ajo është e veshur thjeshtë, një
vajzë e re e pranueshme. Qartësia e veshjes së saj, eleganca e prezencës së
saj, është gjithcka. Ai është një protret që mund të jetë pikturuar për burrin
e saj të ardhshëm me rastin e fejesës, etj.

 

Ajo që jam duke thënë aplikohet më pak
nga të gjitha tek pikturat e peisazheve, ose tek mjeshtërat e mëdhenj të
pikturave të peisazheve si – Constable, Turner ose Monet. Por edhe atje, në
zhvillimin e pikturës së peisazhit, aftësia e pikturave në vaj për të lëvduar idenë
e pronësisë ka luajtur një rol të rëndësishëm.  

 

Piktori surrealist Rene Magritte, mendonte
se peisazhet e pikturuara zëvendësojnë peisazhin real’.

 

Një sërë piktorësh të mëdhenj, e kanë përdorur
pikturën në vaj për të shprehur vizionet e tyre tejet personale dhe të jashtëzakonshme.
Ata kundërshtojnë argumentet e mia në shumë mënyra. Ata kundërshotjnë
gjithashtu edhe traditën nga e cila ato lulëzuan.

 

Kemi një pikturë nga Vermeer, e cila me
sy të parë kundërshton çdo gjë që them unë. Duket sikur ajo është ilustrimi
ideal i argumentit tim. Ajo – vajza në pikturë – është duke peshuar flori. Mbase
është duke peshuar perlat e përhapura në tavolinë. Interesi i saj është tregëtar.
Në mënyrën se si është pikturuar skena, kemi një theksim të qarësisë dhe të
substancës së çdo gjëje. Çdo gjë është një ide mbi qëndrueshmërinë e një shtëpie
të shtresës së mesme holandeze, madje edhe e pikturës së ‘Gjykimi i fundit’ që
ndodhet në murin mbrapa saj. Një pikturë në mur, është simbol mirëqenieje. Por,
shikoni me kujdes. Gradualisht piktura bëhet më misterioze, shumë më pak e shpjegueshme
në termat e mia. Drita bie mbi fytyrën, gishtat, peshoren dhe perlat e saj. Ky
moment është ruajtur me kujdes. Në çastin që ne e kuptojmë diçka të tillë, mënyrën
se si është ruajtur ajo, ne kuptojmë që ashtu si çdo cast tjetër enë jetë edhe ai,
është një çast i papërsëritshëm. Duket sikur, në fakt, ajo është duke mbajtur çastin
ndërmjet gishit të saj tregues dhe gishtit të saj të madh në peshoree e së
shkuarës dhe të së tashmes. Përveç lëvdimit të dukshëm të mirëqenies, kjo
pikturë ka të bëjë me misterin e dritës dhe të kohës , ndërkoë që ne shikojmë
yjet.

 

Në asnjë moment nuk do të mohoja apo të
zvogëloja rëndësinë e arritjes së pikturave të tilla si kjo. Por, ne nuk duhet
të harrojmë këto piktura të jashtëzakonshme – dhe çdo gjë në muze ose atë që
thuhet nga ekspertët e artit, ne nuk duhet të ngatërrojmë këto piktura me qëllimin
dhe rëndësinë e traditës së përgjithshme.

 

Më lejoni që t’ju tregoj sërish
ndryshimin, por këtë herë në një nivel më të lartë. Dy autoportrete nga Rembradt-it.
Njërën kur ai ka qenë i ri, dhe një kur ka qenë i moshuar. Dallimi midis tyre
nuk ka të bëjë thjesht me çështjen e ndryshimeve të moshës mbi karakterin e
njeriut. Në pikturën e parë, Rembrandt-i, përdor stilin dhe metodat e traditës
për qëllime tradicionale – si reklamë mbi fatin e mirë të pronarit të pikturës,
prestigjit dhe të pasurisë. Në pikturën e dytë, ai e ka kthyer traditën kundër
vetes. Çdo gjë ka ikur, me përjashtim të ndjesisë mbi çështjen e ekzistencës, apo
të ekzistencës si një çështje. Vet tradita mund të ushqejë brenda vetes një
kundër-traditë, por vlerat bazike të traditës fitojnë në fund. Piktura e dytë e
Rembradt-t tani ka një çmim të hatashëm ndoshta prej 3 milion paundësh. Ajo është
kthyer më vete në një objekt fantastik pronësie.

 

Sigurisht, që mund të thuhet edhe më
shumë sesa kaq për pikturën evropiane në vaj, megjithatë ajo që jam përpjekur të
tregoj është një pjesë thelbësore e së vërtetës e cila shumë shpesh injorohet. Ne
studiojmë kultura të tjera shumë më të largëta, të tilla si ajo që mësojmë në antropologji.
Kjo është për të thënë se, ne i studiojmë ato nga jashtë. Ne nuk i gjykojmë ato
thjesht sipas vetë shpjegimeve të tyre për veten. Nëse shikojmë kulturën
evropiane të pikturave në vaj me të njëjtën frymë, duke lënë jashtë deklaratat
që ajo bën për veten e saj, besoj se do të zbulojmë se pikturat në vaj, përpara
çdo gjëje tjetër, kanë qenë një mjet apo mënyrë për të treguar zotërimet
personale të atyre që i kanë pasur këto piktura në zotërim. Tani, tradita e
pikturës në vaj, është thyer njëherë dhe përgjithmonë. Në një farë kuptimi,
vendin e saj e kanë zënë reklamat. Vetëm pamja e tyre na bën të duam që t’i zotërojmë
ato.

 

Reklamat do të jetë tema e episodit të 4-ërt.

 

Dokumentar i BBC Four, 1972.

Burimi: https://www.youtube.com/watch?v=5jTUebm73IY

 

Përzgjodhi dhe përktheu Enkeleda Suti.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Të fundit

KOLEKSIONIZMI SI FENOMEN | Nga ARTAN SHABANI

KOLEKSIONIZMI SI FENOMEN Koleksionizmi i artit është një fenomen që daton me antikitetin greko-romak dhe me kalimin e kohës koleksionizmi...

Me trupin tend te mornicuar / Nga Joyce Mansour

E hapa koken tende Per te lexuar mendimet e tua I pertypa syte e tu Per te shijuar veshtrimin tend E piva gjakun...

Dua te fle krahe me krahe me ty, nga Joyce Mansour

Dua te fle krahe me krahe me ty Floket tone te gershetuar Sekset tona te bashkuara Me gojen tende per jastek Dua te...

Seria e re e pikturave nga Parlind Prelashi

Seria e re e pikturave nga Parlind Prelashi @p.prelashi #art #artist #love #drawing #photography #artwork #instagood #photooftheday...

Podcast me Adriana Puleshi – 25 December 2023, Live nga Tirana, ALB

Posterat - Podcast me Adriana Puleshi - 25 December 2023, Live nga Tirana,...

Podcast me Arif Lushi – 15 December 2023, Live nga Tirana, ALB

Posterat - Podcast me Arif Lushi - 15...

Duhet të lexoni

Ti mund të pëlqesh gjithashtu:
Rekomanduar për ty