Siç dëgjohet shiu nga Octavio Paz

Dëgjomë siç dëgjohet shiu

Jo më vëmendje, por e shpërqëndruar
Me hapa të lehtë, si rigon i imët
Ujë që është ajër, ajër që është kohë
Dita ende po largohet
Nata ende duhet të vijë
Figuracione mjegulle
Tek kthesa
Figuracione kohe
Tek përkulja e këtij pushimi
Dëgjomë siç dëgjohet shiu
Pa më dëgjuar, dëgjo çfarë them
Me sy të hapur përbrenda, në gjumë
Me të pesta shqisat zgjuar
Po bie shi, hapa të lehtë, një mërmërimë rrokjesh
Ajër dhe ujë, fjalë pa peshë
Çfarë jemi dhe jemi
Ditët dhe vitet, ky çast
Kohë papeshë dhe dhimbje e rëndë
Dëgjomë siç dëgjohet shiu
Asfalti i lagur po shkëlqen
Rrymat ngrihen dhe largohen
Nata hapet dhe më shikon mua
Ti je ti dhe trupi yt një rrymë
Ti dhe fytyra jote e natës
Ti dhe flokët e tu, vetëtimë e ngeshme
Ti kalon rrugën dhe hyn në ballin tim
Hapa uji nëpër sytë e mi
Dëgjomë siç dëgjohet shiu
Asfalti po shkëlqen, ti kalon rrugën
Është mjegull, duke u endur natën
Është natë, e flejtur në shtratin tënd
Është gurgullima e dallgëve në frymën tënde
Gushtërinjtë e tu prej uji ma spërkasin ballin
Gishtërinjtë e tu prej flakësh mi djegin sytë
Gishtërinjtë e tu prej ajri hapin qerpikët e kohës
Një pranverë vizionesh dhe ringjalljesh
Dëgjomë siç dëgjohet shiu
Vitet kalojnë, çastet rikthehen
A i dëgjon hapat në dhomën ngjitur?
Jo këtu, jo atje: ti i dëgjon ato
Në një kohë tjetër që është tani
Dëgjoji hapat e kohës
Shpikësin e vendeve pa peshë, askund
Dëgjoje shiun që vërshon në tarracë
Nata është tani më shumë natë në korije
Vetëtima ka bërë fole midis gjetheve
Një kopësht në mëshirë të fatit hyn
Hija jote mbulon këtë faqe
Siç dëgjohet shiu nga Octavio Paz
Përzgjodhi dhe përktheu Enkeleda Suti
Piktura, Nick Alm
@nickalmart

Comments

Popular Posts